Secondary Adv

2027–2028, qeveria mban të pandryshuar skenarin për rritjen ekonomike

Dokumenti zyrtar parashikon zgjerim rreth 4% edhe pse eksportet, bujqësia dhe industria janë në rënie.

Në kuadrin e ri makroekonomik për periudhën 2027–2029, qeveria shqiptare ka mbajtur të pandryshuar skenarin për rritjen ekonomike, me pritshmëri zgjerimi 4 për qind për vitin aktual, 3.9 për qind në vitin 2027 dhe 4.1 për qind në vitin 2028, sipas dokumentit të botuar në Fletoren Zyrtare.

 

Sipas projeksioneve zyrtare, ekonomia pritet të rritet në mënyrë të qëndrueshme, e mbështetur kryesisht nga konsumi, investimet dhe turizmi, në një kohë kur tre shtyllat kryesore të ekonomisë prodhuese, eksportet, bujqësia dhe industria, po shfaqin rënie. Rritja parashikohet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, ndërsa kërkesa e huaj neto pritet të ketë vetëm një ndikim të moderuar pozitiv.

 

Konsumi dhe investimet si motorë të rritjes

Sipas projeksioneve afatmesme, konsumi privat pritet të rritet mesatarisht me rreth 2.9 për qind në vit, ndërsa investimet parashikohen të zgjerohen me rreth 4.9 për qind, të nxitura nga përmirësimi i besimit dhe nga kushtet më të lehta të kreditimit në ekonomi.

 

Eksportet parashikohen të vijojnë trendin pozitiv, me një rritje mesatare prej 4.6 për qind në vit gjatë periudhës 2027–2029, kryesisht falë turizmit. Megjithatë, këto parashikime bien në kontrast me zhvillimet reale të viteve të fundit, ku eksportet e mallrave kanë rënë, prodhimi bujqësor është tkurrur dhe industria ka humbur peshë në ekonomi.

 

Ekonomi gjithnjë e më shumë e orientuar nga shërbimet

Edhe nga këndvështrimi i ofertës, projeksionet tregojnë një ekonomi që po mbështetet gjithnjë e më shumë te shërbimet dhe ndërtimi, dhe gjithnjë e më pak te prodhimi. Bujqësia parashikohet të rritet me vetëm 0.2 për qind në vit, praktikisht pa ndikim në Produktin e Brendshëm Bruto, ndërsa industria pritet të zgjerohet me rreth 2.6 për qind, me një kontribut minimal në rritjen ekonomike.

 

Punësimi pritet të rritet vetëm në mënyrë simbolike, me rreth 0.1 për qind në vit, ndërsa zgjerimi i forcës së punës parashikohet të vijë kryesisht nga rritja e pjesëmarrjes dhe jo nga hapja e vendeve të reja të punës në sektorët prodhues.

 

Në këtë kontekst, projeksionet optimiste të rritjes ekonomike mbështeten kryesisht në supozime për konsum më të lartë, turizëm më të fortë dhe kushte financiare më të favorshme, ndërkohë që baza prodhuese dhe konkurruese e ekonomisë shqiptare vijon të dobësohet.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat